Erdogan: Turqia dhe Kanadaja do të nisin bisedimet për tregtinë e lirë para fundit të vitit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia dhe Kanadaja synojnë të nisin negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë, si dhe të ndërmarrin projekte të reja në fushën e energjisë, tregtisë, transportit dhe industrisë së mbrojtjes, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Shpresojmë që vëllimin tonë tregtar, i cili aktualisht është rreth 3 miliardë dollarë, ta rrisim fillimisht në 5 miliardë dollarë dhe më pas në 10 miliardë dollarë përmes hapave që do të ndërmarrim”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me kryeministrin kanadez, Mark Carney.

Erdogan tha se të dyja palët kishin rënë dakord të nisnin negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë para fundit të vitit, me synim rritjen e tregtisë dhe investimeve.

Ai theksoi se ngritja e marrëdhënieve Turqi-Kanada në nivelin e partneritetit strategjik nuk do të jetë thjesht një hap simbolik në letër.

“Sot kemi kapërcyer shkëputjen që kishte vazhduar për shumë vite mes Turqisë dhe Kanadasë. Tani po nisim një epokë të re mes Turqisë dhe Kanadasë”, tha Erdogan.

“Në vizitën time të parë në Kanada, do t’i bëjmë bashkë përfaqësuesit e komunitetit tonë të biznesit dhe do të ndërmarrim hapa përpara”, shtoi ai.

Ai gjithashtu mirëpriti sanksionet e Kanadasë ndaj vendbanimeve të paligjshme izraelite, duke deklaruar se Ankaraja i konsideron këto masa të përshtatshme për të frenuar shkeljet nga Tel Avivi.

Sa u përket konflikteve ndërkombëtare, Erdogan tha se Turqia shpreson që përpjekjet diplomatike të hapin rrugën për paqe të qëndrueshme si në Ukrainë, ashtu edhe në rajonin e Gjirit.