Shkencëtarët zbulojnë se lëkura e meshkujve dhe femrave rigjenerohet ndryshe, shkaktarë janë hormonet

Shkencëtarët kanë zbuluar se lëkura e meshkujve dhe e femrave rigjenerohet në mënyra të ndryshme, ndërsa këtë dallim e përcaktojnë hormonet seksuale.

Studimi i Universitetit të Lirë të Brukselit, i publikuar në revistën shkencore Nature, u realizua te minjtë, ndërsa disa rezultate u konfirmuan edhe në lëkurën njerëzore të kultivuar në laborator.

Studiuesit zbuluan se qelizat burimore, të cilat janë përgjegjëse për rinovimin e lëkurës, sillen ndryshe te femrat dhe meshkujt.

Te minjtë femra, qelizat e krijuara nga ndarja e së njëjtës qelizë zakonisht veprojnë në mënyrë të koordinuar, ndërsa te meshkujt secila ndjek ritmin e vet.

Sipas hulumtimit, testosteroni ndikon në shpejtësinë me të cilën qelizat e lëkurës piqen, e estrogjeni nxit ndarjen e qelizave burimore dhe koordinimin e tyre.

Kur studiuesit ndryshuan nivelet e këtyre hormoneve te minjtë, ndryshoi edhe mënyra se si qelizat e lëkurës rinovoheshin.

Një tjetër zbulim interesant ishte se plagët në shpinën e minjve femra mbylleshin më shpejt, veçanërisht gjatë ditëve të para të shërimit.

Kjo lidhej pjesërisht me aktivizimin më të hershëm të qelizave burimore, megjithëse dallimi zvogëlohej me përparimin e shërimit.

Shkencëtarët besojnë se këto rezultate mund të ndihmojnë në zhvillimin e trajtimeve mjekësore të përshtatura sipas gjinisë, veçanërisht për djegiet, rikuperimin pas operacioneve dhe plagët kronike te personat me diabet.

Hulumtimet e ardhshme do të shqyrtojnë gjithashtu nëse dallimet hormonale ndikojnë në zhvillimin dhe përparimin e kancerit të lëkurës.