Besa Ismaili për kthimin e ligjit për Specialen: Mundësi për ta përmirësuar, jo për ta zhvlerësuar

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili, ka reaguar pas kthimit në Kuvend për rishqyrtim të projektligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ky veprim duhet të shihet si mundësi për përmirësimin e tij.

Përmes një postimi, Ismaili ka theksuar se për një çështje të kësaj rëndësie, është e domosdoshme që çdo vërejtje të shqyrtohet dhe çdo mangësi e mundshme të korrigjohet.

“Kthimi i projektligjit për Specialen në Kuvend duhet parë si mundësi për ta përmirësuar dhe përsosur dhe jo si arsye për ta zhvlerësuar”, ka shkruar ajo.

Ismaili ka vlerësuar se cilësia e një ligji nuk përcaktohet nga fakti nëse ai kthehet në Kuvend për rishqyrtim, por nga qëndrueshmëria dhe ndikimi që ka.

“Për një çështje me kaq peshë, rëndësi ka që çdo vërejtje të trajtohet dhe çdo mangësi të korrigjohet. Cilësia e një ligji nuk matet me a kthehet në Kuvend apo jo, por me qëndrueshmërinë dhe efektin e tij”, ka deklaruar ish-deputetja.

Ajo ka theksuar se përgjegjësia politike kërkon hartimin e një ligji sa më cilësor, duke shtuar se pasojat e tij zgjasin më shumë se reagimet e momentit.

“Përgjegjësia politike kërkon një ligj sa më të mirë. Reagimet kalojnë shpejt, por ndikimet e ligjit mbeten”, shtoi Ismaili.