Presidentja Shiroka-Pula e kthen në rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ky vendim i Shiroka-Pulës erdhi pasi pranoi propozimin nga PDK-ja, si sponsorizues i ligjit, për t'i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.

“Në arsyetimin e vendimit, Presidentja Shiroka Pula ka theksuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, thuhet ndër tjera.

Po ashtu, Shiroka-Pula ka përsëritur qëndrimin kundër vendimit gjykues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Në arsyetimin e vendimit, Presidentja ka bërë të ditur se ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara”, thuhet ndër tjera. /Zëri