Kandidatja e mundshme për presidente të SHBA-së reagon për protestat në Shqipëri: Të ndalet dhuna ndaj protestuesve

Politikania amerikane e Partisë Demokratike, Alexandria Ocasio-Cortez, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e qytetarëve dhe duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të respektojë lirinë e shprehjes.

Përmes një deklarate në rrjetin social "X", Ocasio-Cortez ka bërë të ditur se gjatë javës së fundit është kontaktuar nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar, të cilët kanë shprehur shqetësimin për sigurinë e familjarëve të tyre në Shqipëri.

“Gjatë javës së fundit, jam kontaktuar nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar, të cilët janë të shqetësuar për sigurinë e familjarëve të tyre”, ka deklaruar ajo.

Politikania demokrate i ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare, duke kërkuar ndërprerjen e asaj që ajo e cilëson si shtypje të dhunshme të protestuesve.

“I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet, të ndalë shtypjen e dhunshme të protestuesve dhe të respektojë lirinë e shprehjes së shqiptarëve”, është shprehur Ocasio-Cortez.

Deklarata e saj vjen në kontekstin e protestave dhe tensioneve të fundit në Shqipëri, duke e sjellë çështjen e trajtimit të protestuesve edhe në vëmendjen e politikës amerikane.

Sipas raportimeve të Associated Press, protestat janë shoqëruar me përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit nga policia, ndërsa disa protestues kanë hedhur gurë dhe mjete ndezëse në drejtim të forcave të rendit.