“Kur ngjyrat bëhen zë” ekspozita që sjell talentin e 12 personave me sindromën Down

Arti si gjuhë universale e shprehjes, gjithëpërfshirjes dhe diversitetit do të jetë në qendër të ekspozitës “Kur ngjyrat bëhen zë”, e cila hapet sonte, në Galerinë Ulpiana Art Center në Prishtinë.

Përmes ngjyrave, formave dhe imagjinatës, 12 persona me sindromën Down do të prezantojnë krijimtarinë e tyre artistike, duke dëshmuar se talenti nuk njeh kufij dhe se arti është një mënyrë e fuqishme për të komunikuar, për t’u shprehur lirshëm dhe për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes njerëzve.

Ekspozita do të hapet në orën 18:00 dhe realizohet nën mentorimin dhe kurimin e artistes Elvira Shyti-Kasapolli.

Projekti synon të krijojë një hapësirë ku krijimtaria e personave me sindromën Down jo vetëm prezantohet, por edhe vlerësohet, duke promovuar mundësi të barabarta për pjesëmarrje në jetën kulturore dhe artistike.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen punimet e Diona Beqiri, Amelia Arifi, Meliza Gashi, Valina Zogjani, Arti Halilaj, Arbesa Thaqi, Qëndresa Pireva, Elita Beshiri, Ejona Kryeziu, Meriton Hajdini, Diamant Drenica dhe Rufat Avdija.

Ekspozita “Kur ngjyrat bëhen zë” do të jetë e hapur për publikun deri më 25 tetor 2026, në lagjen Ulpiana të Prishtinës. /klankosova