Nga viti i ardhshëm kosovarët do t’i paguajnë më shtrenjtë faturat e ujit
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka publikuar urdhëresat tarifore për vitin 2027, të cilat përcaktojnë tarifat për furnizimin me ujë të pijshëm dhe shërbimet e ujërave të ndotura në Kosovë.
Urdhëresat janë miratuar në kuadër të Procesit Tarifor 2026–2028 dhe përfshijnë shtatë Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU), si dhe ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”.
Sipas ARRU-së, përcaktimi i tarifave është bazuar në analizën e kostove operative, nevojave për investime dhe faktorëve që ndikojnë në shpenzimet e kompanive të ujësjellësit, përfshirë energjinë elektrike, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe zgjerimin e rrjeteve të ujësjellësit e kanalizimit.
Sipas vendimit, tarifat e ujit për vitin 2027 rriten për konsumatorët shtëpiakë në të shtatë kompanitë rajonale të ujësjellësit në Kosovë. Ndërkaq, për konsumatorët joshtëpiakë, tarifat ulen në të gjitha kompanitë, transmeton Zeri.info.
Autoriteti ka bërë të ditur se qëllimi i procesit është të sigurojë një ekuilibër ndërmjet mbrojtjes së konsumatorëve, përballueshmërisë së faturave dhe mbulimit të kostove të arsyeshme për ofrimin e shërbimeve.
Një nga aspektet e procesit tarifor është edhe zbatimi i parimit “ndotësi paguan”, sipas të cilit kostot që lidhen me ndotjen duhet t’i reflektohen ndotësit, në përputhje me metodologjinë dhe kuadrin përkatës rregullator.
ARRU-ja ka theksuar se zbatimi i tarifave duhet të shoqërohet me monitorimin e performancës së kompanive, përdorimin efikas të burimeve financiare dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.
Tarifat e miratuara do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
Urdhëresat tarifore dhe të dhënat e detajuara për tarifat e miratuara janë publikuar në ueb-faqen zyrtare të ARRU-së. /Zëri