Sindikata e policisë në Francë padit shtetin, pas valës së protestave dhe dhunës

Stanislas Goudon, përfaqësues i sindikatës së policisë franceze Alliance, ka kritikuar qeveritë e njëpasnjëshme të Francës për atë që e cilësoi si “20 vjet mungesë guximi politik” në politikat e sigurisë, duke e lidhur këtë me dështimet e sigurisë të vërejtura gjatë fundjavës së kaluar.

Sindikata ka njoftuar se do të nisë një padi për përgjegjësi ndaj shtetit francez, duke argumentuar se politikat dhe vendimet e tij kanë krijuar kushtet që çuan në valën e fundit të dhunës dhe rrezikuan jetën e qytetarëve, përfshirë edhe atë të policëve.

Ndër arsyet e përmendura janë urdhrat kontradiktorë, kufizimet në përdorimin e armëve ndërmjetëse dhe mungesa e trajnimit të ekipeve për menaxhimin e rendit publik, transmeton Telegrafi.

Franca ka përjetuar gjatë javës së kaluar një varg protestash, demonstratash dhe përplasjesh në disa pjesë të vendit. Lëvizja nisi me demonstratat e studentëve, të cilët kërkonin kushte më të mira, ndërsa më pas situata u shoqërua me akte dhune dhe masa të përkohshme kufizimi të lëvizjes.

Për fundjavën e ardhshme janë paralajmëruar protesta të tjera, ndërsa sindikatat e punëtorëve kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme më 5 nëntor. Zhvillimet kanë shtuar debatin mbi menaxhimin e rendit publik dhe përgjegjësinë e autoriteteve për sigurinë gjatë protestave. /Telegrafi