Pse tifozët s’mund të blejnë fanella origjinale të Kombëtares në Kosovë? - Agim Ademi mundohet të gjejë arsye, si zakonisht
Tifozët kosovarë qe një kohë të gjatë e kanë shfaqur një shqetësim: ata nuk mund të blejnë fanellë origjinale të Kombëtares në Kosovë.
Deri këtë vit kompania italiane e veshjeve sportive “Errea” ka qenë sponsore teknike (furnizuese e fanellave) e Kombëtares së Kosovës, përmes marrëveshjes me UEFA-n.
Këtë vit, Federata e Futbollit e Kosovës e ndërroi furnizuesin e fanellave, duke bërë marrëveshje me sponsorin e ri të teknik, “Adidas”, cili u zyrtarizuar në muajin shkurt.
Por përse s’ka fanella në dispozicion për tifozët që duan t’i blejnë ato?
Kreu i FFK-së, Agim Ademi, si zakonisht është munduar të gjejë arsye.
Sipas tij, pasi është ndërruar sponsori, s’kanë dashur të vendosin në shitje fanella të sponsorit të kaluar, “Errea”.
Kjo është jashtë çdo logjike, pasi fanellat kanë mundur të shiteshin në vitet e kaluara dhe tash, kush ka mundësi, do t’i blinte edhe ato me sponsorin e ri, “Adidas”.
“Meqë e kemi ndërru, e kemi marrë ‘Adidasin’, nuk kemi dasht me qit në shitje asnjë fanellë të re, se do t’i binte keq për njerëzit, se po i shet këto që më s’janë dhe tash e kanë ndërru. Tashmë që e dimë se ‘Adidasin’ do ta kemi për një kohë pak më të gjatë sepse është brendi më i mirë në Evropë, e mund të them edhe në botë. Dhe, krahas kësaj do të ketë tash edhe vende ku mund ta blesh. Do ta kemi edhe ‘showroom’-in në Federatë, që pothuajse gati e kemi. Do të ketë në dispozicion fanella fizike, por edhe online gjithsesi”, deklaroi Ademi në një intervistë për KosovaPress.
“Janë disa dyqane këtu që janë gjithashtu përfaqësues të ‘Adidasit’ dhe ata e kanë dresën e Përfaqësueses, pra që janë përfaqësues të rregullt, real të ‘Adidasit’. Po flas për fanellën origjinale. Sigurisht që gjen edhe në treg ku ta di ku. Por, unë i lus të gjitha ata të cilët merren me këtë punë dhe që e mbrojnë brendin, organet tona, që të përkujdesen për këtë punë, në mënyrë që, ai që e blen, duhet ta blejë real fanellën e shtetit të Kosovës, do të thotë zyrtare, origjinale. Edhe pse, mund të them lirisht se, pas çdo ndeshjeje, pothuajse secili futbollist e jep fanellën. Është arsye që pikërisht për ata që nuk e kanë mundësinë me e ble një fanellë, sepse ‘Adidasi’ e ka edhe një çmim tjetër, pak më të shtrenjtë se të tjerët”, përfundoi Ademi. /Zëri