Kurti takohet me kancelarin austriak: Kosova, gati për statusin e vendit kandidat në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kancelarin federal të Austrisë, Christian Stocker, në Shën Stefan, ku kanë diskutuar për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në mandatin e ri dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi ekonomik në sektorët e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, ku, sipas tij, kompanitë austriake dhe diaspora kosovare po rrisin investimet.

Kurti kujtoi se në takimin e mëparshëm me Stockerin, para katër muajsh, kishin diskutuar për integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe për përfshirjen në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian.

Ai tha se Kosova tashmë e ka përmbushur edhe kushtin e fundit për SEPA-n, përmes miratimit të tërësisë së ligjeve të nevojshme, ndërsa për roamingun pret që negociatat të nisin së shpejti.

Kryeministri tha se pajtohet me qëndrimin e kancelarit austriak se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar që të gjitha vendet kandidate të trajtohen me kushte të barabarta.

“Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, shkroi Kurti.

Në fund të postimit, kryeministri iu referua edhe futbollit, duke rikujtuar rezultatet e ndeshjeve mes Kosovës dhe Austrisë.

“Pas 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, po afrohemi edhe në futboll”, përfundoi Kurti.