Një qytetar në Istog gjen kuletën me para e dokumente, e dorëzon në Polici pa e kontrolluar
Një qytetar nga fshati Drejë i Istogut ka dorëzuar në Polici një kuletë të gjetur në rrugën “Ibrahim Rugova”, në të cilën kishte para në tri valuta dhe dokumente personale.
Sipas Policisë së Kosovës, më 20 tetor 2026, rreth orës 21:00, qytetari A. Puka është paraqitur në Stacionin Policor në Istog dhe e ka dorëzuar kuletën, të cilën e kishte gjetur pranë një bankomati.
Policia bëri të ditur se qytetari e kishte dorëzuar kuletën menjëherë, pa e kontrolluar përmbajtjen e saj, transmeton Zeri.info.
Gjatë verifikimit, në kuletë janë gjetur 205 euro, 20 franga zvicerane dhe 400 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale.
Përmes dokumenteve është identifikuar pronari i kuletës, i cili është kontaktuar dhe ftuar në stacionin policor. Pas verifikimeve, është konfirmuar se përmbajtja përputhej me deklarimin e tij, ndërsa kuleta, bashkë me të gjitha paratë dhe dokumentet, i është kthyer pronarit.
Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart veprimin e qytetarit, duke e cilësuar si shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare.
Sipas Policisë, veprime të tilla kontribuojnë në forcimin e besimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë. /Zëri