Ymeri kritikon Vitinë për rastin e pacientes me kancer: S’e di si flini natën kur pacientët mbesin pa terapi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për, siç tha ajo, keqmenaxhim të sektorit të shëndetësisë, duke përmendur rastin e një gruaje që vdiq nga kanceri pasi për rreth katër muaj kishte mbetur pa terapinë Palbociclib, për shkak të mungesës së saj në Klinikën e Onkologjisë.

Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, Ymeri tha se trajtimi me këtë ilaç mund të kishte ndihmuar në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes, duke e kritikuar ministrin për gjendjen në të cilën, sipas saj, po përballen pacientët me kancer.

“Ka pasë me u ngadalësu përparimi i sëmundjes e, në mungesë të hapit, nuk është bërë. Ministër, nuk e di qysh flini natën kur dikush në gjoks e ka kancerin e ju e rregulloni mindilin”, deklaroi Ymeri.

Ajo përmendi edhe rritjen e rasteve të reja me tumore, duke pretenduar se ato janë shtuar për më shumë se 42 për qind.

“Mbi 42 për qind janë rritë rastet e reja me tumor. Krejt kjo ka ndodhë shumicën e kohës që keni qenë ju. Me këtë plan efikas nuk kish mujt me kanë as plani i armikut për zhdukjen e këtij populli”, tha deputetja e LDK-së.

Ymeri ia adresoi përgjegjësinë politike ministrit Vitia për gjendjen në shëndetësi, duke ngritur shqetësime për mungesën e terapive dhe pasojat që kjo mund të ketë për pacientët me sëmundje malinje.