Deputeti Ramadani flet për youtuberin që hyri tinëz në Kampin e Policisë

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ngriti shqetësimin rreth incizimit të një youtuberi në Kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë.

Ai tha se ky është një skandal që kërkon hetim të menjëhershëm.

“Një person që njihet me emrin Matt Nadin, ka hyrë javë më parë në Kampin që njihet si kampi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë. Ka incizuar, filmuar dhe ka vendosur në YouTube, pjesë që assesi jo që vetëm nuk do duhej të incizoheshin e filmohen, por nuk do të duhej fare që dikush të ketë qasje në to. Nuk po flasim për park publik, po flasim për një objekt të rëndësisë së veçantë të infrastrukturës kritike, sigurisë kombëtare të Kosovës. E çka nëse ky ka qenë testim armiqësor? Rezultati dihet, shihet. Është e qartë, siguria është shkelë dhe ky është skandal fort i madh e që kërkon hetim serioz”, u shpreh Ramadani.

Pos të tjerash, Ramadani tha se mungesa e reagimit nga ana e diplomacisë kosovare, pas vizitës së ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq në Rusi, dhe përsëritjes së kërcënimeve ndaj Kosovës, deputeti tha se kjo tregon që vendi ynë s’ka plan konkret.

“Ndërkohë që kërcënimet nuk janë veç të tilla, Ivica Daçiq i Serbisë shkoi në Rusi dhe Maria Zaharova e Kremlinit e përsëriti kërcënimin ndaj sigurisë tonë kombëtare duke e quajtur Kosovën në gjuhën e tyre sikurse e quajnë. Por nuk pamë reagim të diplomacisë sonë. E kur nuk shohim reagim, kuptojmë që nuk ka plan, e kur s’ka plan kuptojmë që nuk mundet me pas rezultate”, tha deputeti.