Vitia për raportimet se një grua vdiq nga kanceri nga mungesa e barnave: Lajmi u publikua pa u verifikuar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kritikuar raportimet mediatike lidhur me vdekjen e një gruaje, për të cilën ishte raportuar se kishte vdekur nga kanceri për shkak të mungesës së barnave.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Vitia fillimisht shprehu ngushëllime për familjarët e së ndjerës, ndërsa pretendoi se raportimi ishte publikuar pa u verifikuar me institucionet shëndetësore apo me shoqatën që e kishte ngritur këtë çështje, transmeton Zeri.info.

Sipas ministrit, pas publikimit të një statusi nga një shoqatë në Facebook, Klinika e Onkologjisë kishte tentuar të kontaktonte me të, ndërsa një medium e kishte transmetuar lajmin në edicionin qendror pa bërë, sipas tij, verifikimet e nevojshme.

“Më lejoni t’i shpreh ngushëllimet për familjarët. Një shoqatë e bën një status ku thotë që një paciente ka vdekur për shkak të mungesës së barnave. Klinika e Onkologjisë bën përpjekje të kontaktojë me këtë shoqatë, ishte e pamundur, pastaj një gazetare, pa bërë asnjë verifikim të lajmit, e paraqet atë në lajmet qendrore të një mediumi”, deklaroi Vitia.

Ai theksoi se përcaktimi i shkakut të vdekjes kërkon procedura mjekësore dhe verifikime, duke kundërshtuar, siç tha, nxjerrjen e përfundimeve vetëm nga një publikim në rrjetet sociale.

“Paramendojeni, për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe procedura të tjera për të qenë i qartë. Duhet një sërë procedurash për të dalë në konstatime, ndërsa gazetarja dhe të tjerët dalin dhe këtë konstatim e bëjnë nga një status që ka qenë në Facebook”, tha ministri.

Vitia ngriti edhe dyshime për motivet e raportimit, duke pretenduar se ai mund të jetë bërë për të siguruar më shumë klikime ose të jetë nxitur nga persona të tjerë.

“Tendencioze, e pasaktë dhe e keqinformon publikun”, u shpreh Vitia, duke kritikuar mënyrën sesi ishte trajtuar rasti në media. /Zëri