Deputetja Haxhiu kritikon pushtetin për protezat e invalidëve të luftës
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ka kritikuar pushtetin në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke ngritur shqetësime për sulmet ndaj Daut Haradinajt dhe mosndarjen e një milion eurove për protezat e invalidëve të luftës.
Gjatë fjalimit të saj, Haxhiu përmendi edhe bashkëshortin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ish-ministrin e tashmë kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Për Pecin, deputetja e AAK-së tha se ai mbahet mend për skandale, duke përmendur rastin e ushqimit të fëmijëve në çerdhe me mish me afat të skaduar.
“Mbahet në mend që i ka ushqyer fëmijët në çerdhe me mish me afat të skaduar”, deklaroi Haxhiu.
Ajo kritikoi ashpër pushtetin për mosmbështetjen e ndarjes së një milion eurove për blerjen e protezave për invalidët e luftës.
Për ta ilustruar gjendjen e tyre, Haxhiu paraqiti rastin e një personi që, sipas saj, është 90 për qind invalid dhe që protezat i kishte siguruar me shumë vështirësi, falë ndihmës së miqve.
Një ditë më parë, Komisioni për Buxhet nuk e kishte mbështetur ndarjen e një milion eurove për protezat e invalidëve të luftës. Në votim pesë deputetë votuan pro, një kundër, ndërsa pesë të tjerë abstenuan. /Zëri