Samiti i Procesit të Berlinit, në fokus ekonomia dhe rruga drejt BE-së

Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit mbahet sot në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të disa vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrjen në këtë samit e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në mesin e pjesëmarrësve pritet të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Në samit do të marrë pjesë edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve dhe udhëheqës politikë të vendit.

Samiti mbahet në kuadër të përmbylljes së kryesimit malazez të Procesit të Berlinit, ndërsa në fokus do të jenë bashkëpunimi rajonal, zbatimi i marrëveshjeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pjesëmarrja e Kurtit vjen pas takimit që ai zhvilloi një ditë më parë me komisioneren Marta Kos në Shën Stefan të Malit të Zi. Në këtë takim u diskutua për reformat, integrimin evropian të Kosovës dhe nevojën që përparimi demokratik i vendit të shoqërohet me vendime konkrete nga institucionet evropiane.

Kurti ka theksuar se funksionalizimi i plotë i institucioneve do t’i mundësojë Kosovës përshpejtimin e reformave. Ai ka diskutuar gjithashtu për përfitimet nga integrimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), që sipas tij pritet t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit.

Kryeministri i Kosovës ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë marrëveshjen për njohjen e diplomave, duke theksuar se ajo duhet të zbatohet nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.

Sipas agjendës paraprake, mbërritja zyrtare e liderëve dhe deklaratat për media janë paraparë të nisin në orën 09:30, ndërsa samiti pritet të fillojë në orën 10:20.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.