Krizë financiare te Al-Nassr, Cristiano Ronaldo mund të jetë zgjidhja

Klubi saudit Al-Nassr po përballet me një krizë të rëndë financiare, ndërsa Cristiano Ronaldo mund të jetë një nga figurat që do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje.

Sipas raportimeve të mediave, klubi ka borxhe që arrijnë në 800 milionë rialë sauditë, rreth 213 milionë dollarë. Problemet financiare lidhen kryesisht me vendime të gabuara ekonomike të marra gjatë sezonit të kaluar, të cilat kanë sjellë edhe ndërhyrjen e organeve mbikëqyrëse.

RedBird Capital, në bisedime për blerjen e klubit

Një nga zgjidhjet e mundshme është përfshirja e fondit amerikan të investimeve RedBird Capital, i cili zotëron edhe AC Milan.

Sipas raportimeve, RedBird ka zhvilluar bisedime me Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF) për blerjen e 70 për qind të aksioneve të Al-Nassr. Operacioni mund të arrijë vlerën e një miliard rialëve sauditë, shumë që do të mund të mbulonte borxhet e klubit.

Megjithatë, negociatat janë ende në fazën fillestare dhe nuk ka marrëveshje përfundimtare.

Një tjetër mundësi është përfshirja e biznesmenit Mohammed Al-Khuraiji në një grup investitorësh që mund të marrin përsipër klubin.

Cristiano Ronaldo, nga fusha në pronësi të klubit?

Alternativa që ka tërhequr më shumë vëmendje është ajo që përfshin vetë Cristiano Ronaldon. Ylli portugez mund të kalojë nga roli i futbollistit në atë të investitorit, duke përfituar një pjesë të pronësisë së klubit ku aktivizohet.

Sipas raportimeve të tjera, Ronaldo mund të përfshihet në një konsorcium investitorësh që synon blerjen e aksioneve të Al-Nassr, megjithëse detajet e marrëveshjes së mundshme nuk janë përfundimtare.

Kriza financiare e Al-Nassr duket se kërkon ndërhyrje të rëndësishme për të stabilizuar situatën ekonomike. Pavarësisht se kush do të marrë drejtimin e klubit në të ardhmen, objektivi kryesor do të jetë shlyerja e borxheve dhe krijimi i një strukture financiare më të qëndrueshme. /Zëri