Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Damkës
Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, duke ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe duke vendosur që procedura penale ndaj Fikrim Damkës dhe të pandehurit tjetër me inicialet B.K. të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Rasti lidhet me dyshimet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 shkurt 2026, kishte hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe kishte pushuar procedurën ndaj dy të pandehurve, pas shqyrtimit të kundërshtimeve të paraqitura nga mbrojtja.
Megjithatë, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar këtë vendim, duke konfirmuar aktakuzën dhe duke vlerësuar se çështja duhet të vazhdojë në gjykim.
“Gjykata e Apelit ka vendosur që procedura penale ndaj të njëjtëve të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Sipas Apelit, vendimi i shkallës së parë ishte nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale, ndërsa nga vlerësimi i provave në këtë fazë është konstatuar se ekziston dyshim i bazuar mirë se të pandehurit mund ta kenë kryer veprën për të cilën akuzohen.
Rasti ndaj Damkës dhe dyshimet për mbi një milion euro
Rasti lidhet me aktakuzën ndaj Fikrim Damkës, për të cilin teve1 kishte raportuar më herët se dyshohej për keqpërdorim të mbi një milion eurove.
Me vendimin e ri të Gjykatës së Apelit, procedura penale për këtë rast do të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Duhet theksuar se konfirmimi i aktakuzës nuk nënkupton shpalljen fajtor të të pandehurve. Përgjegjësia penale e tyre do të vlerësohet gjatë procedurës gjyqësore.