Shtesat për fëmijë dhe pensionet, kategoritë me më së shumti përfitues në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin shtator 2026, sipas të cilave skema e shtesave për fëmijë ka pasur numrin më të madh të përfituesve, me gjithsej 374.652 fëmijë.
Sipas të dhënave të ASK-së, për këtë skemë janë shpenzuar 13.53 milionë euro gjatë muajit shtator, transmeton Zeri.info.
Ndërkohë, nga skema e pensioneve bazike të moshës kanë përfituar 172.721 qytetarë, për të cilët janë ndarë mbi 27.6 milionë euro.
Pensionet kontributpaguese të moshës kanë përfshirë 47.738 përfitues, me pagesa prej rreth 11.67 milionë eurosh, ndërsa 21.644 persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar pensione në vlerë prej rreth 3.57 milionë eurosh.
Në kuadër të skemave të tjera sociale, 39.699 veteranë kanë përfituar gjithsej rreth 7.84 milionë euro, ndërsa për pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës janë ndarë rreth 3.75 milionë euro për 12.332 përfitues.
Skema e ndihmës sociale ka përfshirë 14.664 përfitues, me pagesa prej rreth 2.17 milionë eurosh. Ndërkaq, 9.394 familje me fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar mbështetje financiare në vlerë prej 659.100 eurosh.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 6.817 lehona të papuna kanë përfituar mbështetje financiare në vlerë prej 3.42 milionë eurosh, ndërsa 2.176 lehona të punësuara kanë marrë gjithsej 1.08 milionë euro. /Zëri