Bedri Hamza jep dorëheqje nga drejtimi i PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë.

Në një konferencë për media të mërkurën, Hamza bëri të ditur se vendimi i tij hap rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, transmeton Zeri.info.

Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe krijimit të mundësive që ata të marrin përgjegjësi në strukturat partiake.

Hamza rikujtoi se përgjegjësitë që ka marrë që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, duke përfshirë kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidimet radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë nga përgjegjësia ndaj PDK-së dhe Kosovës e jo nga ambiciet personale.

Ai tha se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e votuesve.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh Hamza.

Në deklaratën e tij, ai foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur zhgënjimin e tij me atë që e cilësoi si padrejtësi në Hagë.

Hamza theksoi se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.

Në fund, ai falënderoi të gjithë anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal.

“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi Hamza. /Zëri