Ambasada Gjermane: Procesi i Berlinit afron vendet e Ballkanit Perëndimor me BE-në

Ambasada Gjermane në Prishtinë ka theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ambasada ka bërë të ditur se Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet nesër, në Shën Stefan të Malit të Zi.

Sipas Ambasadës, synimi i qartë i Gjermanisë është që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të afrohen me anëtarësimin në BE.

Procesi i Berlinit synon të sjellë përmirësime konkrete për qytetarët e rajonit, përmes forcimit të lidhjeve rajonale, lëvizjes më të lirë dhe bashkëpunimit më të ngushtë praktik.

Ambasada ka vlerësuar gjithashtu rolin e Malit të Zi, i cili kryeson Procesin e Berlinit për vitin 2026, duke theksuar se mbajtja e samitit në këtë vend dërgon një sinjal pozitiv për rritjen e rolit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përcaktimin e bashkëpunimit rajonal dhe të së ardhmes së tyre të përbashkët.