Desire Doue: E dinim se do të ishte një ndeshje e nivelit të lartë

Sulmuesi Desire Doue, autor i njërit prej katër golave të Paris Saint-Germainit mbrëmë në fitoren e madhe 4:2 ndaj Barcelonës, u shpreh i kënaqur me fitoren ndaj katalunasve.

“E dinim se do të ishte një ndeshje e nivelit më të lartë. Iu përgjigjëm sfidës dhe treguam futboll të bukur. Shfrytëzuam rastet tona. Synimi ishte të shënonim më shumë gola se ata, sepse e dinim se edhe Barcelona mund të shënonte”, deklaroi Doue.

“Ne i njohim cilësitë tona dhe e dimë se mund të shënojmë në çdo moment. Edhe pasi pësojmë gol, edhe pasi shënojmë vetë, duhet të mbetemi të përqendruar te ajo që dimë të bëjmë. Sonte e bëmë këtë shumë mirë”, shtoi ai.

PSG-ja tashmë synon ta vazhdojë serinë pozitive në Ligën e Kampionëve, ndërsa fitorja ndaj Barcelonës i jep skuadrës së Luis Enriques besim të mëtejshëm për sfidat e ardhshme. /Zëri