Kalimi transit i Mickoskit në Kosovë, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut

Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë dhe do të kujdeset për menaxhimin e trafikut gjatë kalimit transit nëpër territorin e Kosovës të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot dhe nesër.

Sipas njoftimit, për të mundësuar lëvizjen e lirë të eskortës zyrtare, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve, në intervale të shkurtra kohore, në disa segmente rrugore përgjatë itinerarit të lëvizjes.

“Itinerari përfshin hyrjen në Kosovë përmes pikës kufitare në Han të Elezit dhe vazhdimin e lëvizjes deri në dalje nga territori i Kosovës në Vërmicë”.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë realizimit të këtyre masave.