Plagët e luftës, Konjufca në OKB: S'mund të lejojmë barazim të fajësisë veç pse dikush dashka një narrativë alternative

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur në Këshill të Sigurimit të OKB-së për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për krimet e luftës, siç u shpreh ai, autorët e të cilave ende nuk janë ndëshkuar.

Gjatë fjalimit të tij, Konjufca ka theksuar se rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, duke kërkuar drejtësi për secilën viktimë dhe për çdo krim të kryer.

“Diku rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe shumë kryerës të krimeve të luftës ende janë të pandëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për secilën viktimë, për secilin krim e për secilin kryerës të këtyre krimeve”, ka deklaruar ministri i Jashtëm.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu përpjekjet për barazim të fajësisë dhe deklaroi se plagët e luftës janë ende të freskëta në Kosovë.

“Nuk mund të lejojmë barazim të fajësisë thjesht për shkak se dikush dashka të ndërtojë një narrativë alternative. Plagët e luftës ende janë të freskëta në Kosovë”, ka thënë Konjufca.