Prokurorët specialë mund të nisin hetime pa autorizimin e Kryeprokurorit

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka vendosur që prokurorët specialë të mund të kërkojnë drejtpërdrejt regjistrimin e lëndëve për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare, pa pasur nevojë për autorizim paraprak nga Kryeprokurori.

Përmes një vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzuesit për veprimtarinë ditore të Zyrës së Regjistrit, Paca ka synuar lehtësimin e procedurave administrative dhe respektimin e pavarësisë funksionale të prokurorëve specialë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, me ndryshimet e bëra, prokurorët mund të kërkojnë drejtpërdrejt nga Zyra e Regjistrit numrin për regjistrimin e lëndës, me qëllim të inicimit të hetimeve sipas detyrës zyrtare.

Vendimi është marrë “në harmoni dhe respektim të kompetencave dhe pavarësisë funksionale të prokurorëve për inicimin e hetimeve sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ndryshimi synon gjithashtu “lehtësimin e procedurës administrative të regjistrimit të lëndëve dhe nxitjen e prokurorëve në inicimin e hetimeve të veprave penale, sipas detyrës zyrtare”.

Ky rregullim u mundëson prokurorëve specialë të ndërmarrin veprimet e nevojshme për regjistrimin e lëndëve pa kërkuar paraprakisht autorizimin e Kryeprokurorit, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore.

Në fund të njoftimit, Prokuroria Speciale ka ritheksuar përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në hetimin e të gjitha veprave penale që bien në kompetencën e saj, bazuar në legjislacionin në fuqi.