Trazirat në Milano detyrojnë ndërhyrjen e qeverisë, 500 ushtarë në rrugë

Përshkallëzimi i trazirave në Milano dhe në disa qytete të tjera italiane gjatë fundjavës ka shtyrë qeverinë e udhëhequr nga Giorgia Meloni të ndërmarrë hapa të menjëhershëm emergjence.

Në kuadër të një dekreti të ri mbi sigurinë urbane, ekzekutivi italian po finalizon masat për forcimin e rendit publik, ku përfshihet dërgimi i trupave ushtarake në terren dhe ashpërsimi i përgjegjësisë penale e financiare.

Si pjesë e këtij plani veprimi, Mbrojtja italiane ka konfirmuar angazhimin e drejtpërdrejtë të ushtrisë për të mbështetur forcat e rendit. Nënsekretarja e Mbrojtjes, Isabella Rauti, bëri me dije se masa parashikon “vendosjen e menjëhershme të 500 personelit ushtarak në kryeqytetin e Lombardisë për të mbështetur iniciativën ‘Rrugë të Sigurta'”, duke saktësuar se ky propozim do të jetë pjesë përbërëse e dekretit të ri që do të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave.

Mbledhjet teknike të kryesuara nga Nënsekretari i Kryeministrit, Alfredo Mantovano, kanë vijuar intensive për finalizimin e tekstit ligjor. Teksa po shqyrtohen dispozita që lidhen me dëmin e rënduar, konspiracionin kriminal për protestuesit e dhunshëm dhe përgjegjësinë e të miturve, zëvendëskryeministri Matteo Salvini theksoi se “sot do të ketë përgjigje të menjëhershme”, duke këmbëngulur se edhe prindërit duhet të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre. Nga ana e tij, kreu i Noi Moderati, Maurizio Lupi, u shpreh prerazi se “shteti duhet të jetë aty dhe do të jetë aty”.

Dimensioni i këtyre ngjarjeve po interpretohet nga ekzekutivi përtej protestave konvencionale. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e cilësoi situatën aktuale si pjellë të ndërhyrjeve me mjete jo-tradicionale, duke nëvizuar se ngjarjet në Milano “janë fryti, kulmi i një lufte hibride që dikush po zhvillon kundër kombeve tona duke përdorur mjete jokonvencionale, të tilla si mediat sociale, TikTok ose YouTube”.

Nga ana tjetër, masat e paralajmëruara kanë nxitur reagime të ashpra nga opozita e qendrës së majtë. Kreu i Lëvizjes Pesë Yje, Giuseppe Conte, e akuzoi ekzekutivin për shmangie të përgjegjësisë, duke deklaruar se “ne e dënojmë shkatërrimin, por qeveria po e zhvendos përgjegjësinë e saj tek të tjerët”. Kritika të ngjashme erdhen edhe nga Enrico Borghi i partisë Italia Viva, i cili e cilësoi nismën si “një dekret joefektiv dhe shqetësues”, ndërkohë që opozita ka kërkuar praninë e menjëhershme të Ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, në Parlament.

Në krahun tjetër, figura të shumicës dhe eksponentë të tjerë kanë kërkuar reagim pa kompromis. Ish-gjenerali Roberto Vannacci u shpreh se “për ne, ky është terrorizëm në rrugë dhe përgjigja duhet të jetë e ashpër”. Megjithatë, përballë kritikave të opozitës, mazhoranca ka hedhur poshtë akuzat, duke kërkuar një qëndrim unanim parlamentar për dënimin e prerë të dhunës.