MASHT-i hap konkurset për bursa të doktoratës dhe postdoktoratës, mbështetje deri në dhjetë mijë euro

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka hapur konkurset për mbështetjen financiare të studentëve të doktoratës dhe kërkuesve shkencorë, përmes bursave për studime brenda dhe jashtë vendit, si dhe për hulumtime postdoktorale ndërkombëtare.

 Sipas njoftimit zyrtar, mbështetja financiare do të ndahet përmes tri skemave kryesore, në përputhje me Programin Kombëtar të Shkencës.

 Doktoratë brenda vendit: 3,000 euro (për herë të parë ofrohet mbështetje e dedikuar për studentët në universitetet vendore); Doktoratë jashtë vendit: 8,500 euro; Hulumtime postdoktorale jashtë vendit: 10,000 euro.

Nga ministria bëjnë të ditur se ky hap synon të krijojë kushte më të favorshme për avancimin akademik dhe profesional të hulumtuesve të rinj, të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të nxisë cilësinë e kërkimit shkencor në vend.

 Gjithashtu, zhvillimi i kërkimit dhe inovacionit në arsimin e lartë përbën një shtyllë qendrore të Strategjisë së re për Arsim 2035+, me fokus në rritjen e rolit të universiteteve në prioritetet e zhvillimit shtetëror.