Haxhiu: SHBA-ja mbetet aleatja jonë strategjike

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Wylita Bell.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në takim është diskutuar për prioritetet dhe punën që e pret legjislaturën e njëmbëdhjetë, tashmë që institucionet e vendit janë kompletuar, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me institucionet amerikane.

Haxhiu e ka falënderuar Bellin për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

“SHBA-ja mbetet aleati ynë strategjik, ndërsa partneriteti ynë me të është thelbësor për avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Takimi vjen pas konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës, me fokus në prioritetet e Kuvendit dhe vazhdimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Zëri