Laporta e bën të qartë: Lamine Yamal nuk është në shitje, Barcelona refuzoi 250 milionë euro

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka rikonfirmuar se klubi katalanas nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Lamine Yamal, pavarësisht interesimit të Paris Saint-Germainit për yllin e ri të futbollit.

Në prag të përballjes mes PSG-së dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve, Laporta ka zbuluar se klubi francez kishte ofruar 250 milionë euro për Yamalin, kur ai ishte vetëm 17-vjeçar. Barcelona e refuzoi ofertën.

“Kur PSG-ja na ofroi 250 milionë euro për Lamine Yamal, ne e refuzuam ofertën. Ai ishte vetëm 17 vjeç. Disa menduan se ishim të çmendur”, ka treguar Laporta.

Kreu i Barcelonës është shprehur i bindur se sulmuesi ndihet mirë në klub dhe se e ardhmja e tij mbetet e lidhur me katalanasit.

“Ne kemi besim te forcat tona. Barcelona i paguan mirë lojtarët e saj. Gjithçka ka të bëjë me ndjenjën se je mirë në klub. Jashtë Barcelonës është ftohtë, ndërsa këtu jemi mirë”, ka deklaruar ai për gazetën franceze L’Équipe.

Laporta e ka cilësuar Yamalin si një gjeni të futbollit, duke vlerësuar jo vetëm talentin e tij, por edhe mentalitetin dhe aftësinë për t’i argëtuar tifozët.

Yamali ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2031, ndërsa klubi e konsideron atë një figurë qendrore të projektit sportiv për të ardhmen. /Zëri