Kosova, e dyta në Evropë me projektin kundër korrupsionit për fuqizimin e të rinjve
Kosova është renditur në vendin e dytë në Evropë me një projekt inovativ kundër korrupsionit, të realizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në bashkëpunim me organizatën D+.
Nisma “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit” është përzgjedhur ndër pesë projektet më inovative nga 114 institucione pjesëmarrëse në Evropë, ndërsa pas procesit të votimit nga institucionet e rrjetit është renditur në vendin e dytë.
Rezultati u bë i ditur në kuadër të Konferencës së 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian kundër Korrupsionit (EPAC) dhe Rrjetit Evropian të Pikave të Kontaktit kundër Korrupsionit (EACN), të mbajtur nga 5 deri më 7 tetor 2026 në Budva të Malit të Zi.
Në këtë konferencë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit u përfaqësua nga delegacioni i kryesuar nga drejtori Yll Buleshkaj, së bashku me udhëheqësin e Divizionit për Sinjalizim, Milot Shala.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve kundër korrupsionit, organeve të mbikëqyrjes së policisë, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare. Temat kryesore përfshinë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme u miratua edhe Deklarata e Budvës, e cila thekson rëndësinë e bashkëpunimit praktik në luftën kundër korrupsionit. Dokumenti shpreh shqetësim për tendencat e kufizimit të pavarësisë së institucioneve për parandalimin e korrupsionit në disa vende, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen e autonomisë së tyre operacionale dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Përmes projektit të vlerësuar në nivel evropian, APK-ja synon të fuqizojë të rinjtë përmes edukimit mbi integritetin dhe parandalimin e korrupsionit, duke e konsideruar ndërtimin e një kulture të integritetit si një nga shtyllat e luftës kundër kësaj dukurie. /Zëri