Trumpi urdhëron hetim ndaj Grenellit për korrupsion

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, të shqyrtojë akuzat ndaj Richard Grenellit, ish-drejtorit të qendrës “Kennedy” për artet performuese, lidhur me një donacion prej miliona dollarësh që dyshohet se nuk arriti tek institucioni.

Rasti përfshin biznesmenin turk Turhan Mildon dhe Alina Habba, ish-avokaten e Trumpit.

Sipas raportimit, Habba i ka thënë presidentit amerikan se një donacion prej rreth 5.6 milionë dollarësh, që bashkëshorti i saj kishte planifikuar për qendrën “Kennedy”, nuk figuron në të dhënat financiare të institucionit.

Sipas Axiosit, Mildoni pretendon se në maj të vitit 2025, me udhëzimin e Grenellit, u transferuan 17.6 milionë dollarë në kompaninë amerikane “Texas Armament & Technology”.

Një pjesë e kësaj shume, sipas pretendimit, ishte destinuar për donacionin ndaj qendrës “Kennedy”.

Megjithatë, dokumentet financiare të institucionit nuk konfirmojnë pranimin e shumës prej miliona dollarësh; ato tregojnë një donacion prej 270 mijë dollarësh në emër të Mildonit, i cili është paguar, transmeton Zeri.info.

Grenelli i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato absurde. Ai ka deklaruar se nuk ka kërkuar që paratë të transferoheshin diku tjetër në emër të donacionit dhe se nuk ka marrë pagesa nga Mildoni. Shtëpia e Bardhë ka kërkuar dokumente dhe prova për t’i shqyrtuar pretendimet, të cilat deri tani nuk janë vërtetuar.

Grenelli ka qenë i dërguar i posaçëm i Trumpit për dialogun Kosovë - Serbi. Në vitin 2023 presidenti serb Aleksandar Vuçiq e dekoroi me “Urdhrin e Flamurit Serb të Klasit të Parë”, duke e vlerësuar për kontributin në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. /Zëri