Policia identifikon një të dyshuar për dhunë në familje në Ferizaj

Policia e Kosovës ka identifikuar dhe shoqëruar në stacionin policor një person 36-vjeçar, pas qarkullimit të një video-incizimi në rrjetet sociale, i cili ngriti dyshime për dhunë në familje në Ferizaj.

Sipas njoftimit të policisë, rasti është raportuar më 19 tetor, rreth orës 19:50, pasi në rrjetet sociale po qarkullonte një video në të cilën dëgjohej një person duke bërtitur.

Pas pranimit të informatës, njësitë reaguese kanë identifikuar lokacionin në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj, ku më pas kanë shoqëruar personin e dyshuar në stacionin policor për intervistim dhe sqarimin e rrethanave.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit për dhunë në familje që të merren me hetimin e mëtejmë dhe të sqarojnë plotësisht rrethanat e rastit.

Hetimet për zbardhjen e rastit janë në vazhdim.