Rama thotë se është i gatshëm ta marrë drejtimin e LDK-së
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar është i gatshëm ta marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në KlanKosova, Rama tha se është absolutisht i gatshëm për këtë angazhim, duke theksuar se ka pasur biseda si me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, ashtu edhe me anëtarë të tjerë të partisë.
“Unë i kam ndihmuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas 12 viteve, LDK është e para në kryeqytet, dhe e kam ofruar, po them, ndihmën time gjatë gjithë kohës dhe vazhdoj me e ofru këtë ndihmë. Normal që jam i interesuar me i ndihmu Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe me nxjerr prej aty ku është. Si gjithmonë, kam qenë aty për ta, jam aty për ta, do të jem aty për ta”, u shpreh Rama.
Megjithatë, ai tha se ende nuk e ka marrë vendimin nëse do të jetë kandidat për kryetar në zgjedhjet e brendshme të LDK-së.
“Ende nuk e kam marr vendimin, por besoj që po!”, u shpreh ai.