Pedri: Ndeshja ndaj PSG-së është një matës për Barcelonën në Evropë

Mesfushori i Barcelonës, Pedri, ka folur para përballjes së rëndësishme me Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve, duke e vlerësuar lart kundërshtarin dhe duke theksuar rëndësinë e kontrollit të topit në këtë duel.

Sipas Pedrit, beteja në mesfushë mund të jetë vendimtare për fatin e ndeshjes. Ai pritet të përballet me një mesfushë të fortë të PSG-së, ku spikat portugezi Vitinha, të cilin e konsideron një prej lojtarëve më të rëndësishëm në krijimin e lojës.

“Do të jetë një duel i bukur. Skuadra që e kontrollon topin nesër do ta ketë avantazhin. Ne jemi të bindur se mund t’ia dalim”, ka deklaruar Pedri.

Ai ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e Rodrit në mesfushën e Barcelonës, duke shpjeguar se prania e tij i jep më shumë liri për t’u përfshirë në fazën sulmuese.

“Na ndihmon shumë në kontrollin e mesfushës dhe të lojës. Me të, kam pak më shumë liri për t’u ngjitur përpara, sepse e di që ai do të jetë aty”, ka thënë mesfushori spanjoll.

Pedri ka folur edhe për Lamine Yamalin, duke theksuar se talenti i ri duhet të vazhdojë rrugën e tij pa u ngarkuar me krahasimet me Lionel Messin.

Sipas tij, Yamali duhet të shijojë futbollin dhe të zhvillohet me qetësi, pasi është ende i ri dhe ka një karrierë të gjatë përpara.

Barcelona do të përballet me PSG-në të martën në Paris, në kuadër të xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

Kampionët në fuqi të Evropës përbëjnë një provë të rëndësishme për skuadrën e Hansi Flickut, e cila synon të dëshmojë forcën e saj në skenën evropiane. /Zëri