Drejtori i Bujqësisë në Malishevë kërkon sqarime nga Ministria për kriteret e subvencionimit të grurit
Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Malishevë, Sylë Dukolli, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë sqarime për mospërputhjet që ekzistojnë mes dy dokumenteve zyrtare lidhur me rendimentin mesatar të grurit për subvencionim.
Dukolli ka bërë të ditur se dokumenti i datës 19 qershor 2026 përcakton rendimentin mesatar të grurit në 4.300 kilogramë për hektar, ndërsa një dokument tjetër, i datës 2 tetor 2026, e përcakton atë në 4.600 kilogramë për hektar.
Sipas tij, kjo mospërputhje krijon paqartësi për kriteret që do të zbatohen në procesin e subvencionimit dhe mund të shkaktojë pasoja financiare për fermerët.
“Fermerët nuk duhet të jenë viktima të paqartësive institucionale!”, shkroi Dukolli në reagimin e tij.
Ai i ka kërkuar Ministrisë transparencë, sqarim zyrtar dhe harmonizim të dokumenteve, duke theksuar se fermerët kanë nevojë për siguri dhe mbështetje konkrete.
“Kërkojmë nga Ministria transparencë, sqarim zyrtar dhe harmonizim të dokumenteve. Fermerët meritojnë drejtësi, siguri dhe mbështetje konkrete, jo pasiguri dhe vendime kundërthënëse”, deklaroi Dukolli.