Protestues të maskuar sulmojnë Gjykatën e Apelit, disa të arrestuar

Protestues të maskuar kanë sulmuar Gjykatën e Apelit, duke hedhur gurë në drejtim të godinës dhe duke shkaktuar thyerjen e xhamave. Disa prej tyre kanë depërtuar edhe në ambientet e brendshme të Institucionit, ku kanë shkaktuar dëme materiale.

Përveç dëmtimeve, protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj Zyrës së Informacionit dhe fasadës së jashtme të institucionit, të cilave më pas u kanë vënë zjarrin. Falë reagimit të menjëhershëm, flakët janë vënë nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Pas sulmit ka reaguar menjëherë Policia e Shtetit, efektivët e së cilës kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave.

Deri tani nuk ka të dhëna të mëtejshme mbi numrin e saktë të personave të shoqëruar ose mbi vlerën e dëmeve të shkaktuara në ambientet e Gjykatës. Sakaq, stafi i Gjykatës së Apelit vijon të qëndrojë jashtë ambienteve të institucionit. /rtsh