Kylian Mbappe fiton çmimin “Onze d’Or” për vitin 2026
Kylian Mbappe është shpallur fitues i çmimit Onze d’Or për vitin 2026, pasi mori 48.2 për qind të votave nga më shumë se dy milionë votues në faqen e revistës Onze Mondial.
Sulmuesi i Real Madridit triumfoi me një epërsi të madhe ndaj rivalëve. Në vendin e dytë u rendit Joao Neves me 11.9 për qind të votave, i ndjekur nga Khvicha Kvaratskhelia me 10.8 për qind, Lamine Yamal me 9.7 për qind dhe Ousmane Dembele me 7.5 për qind. Ky çmim, që këtë vit shënon 50-vjetorin e themelimit, u është ndarë ndër vite emrave të mëdhenj të futbollit, përfshirë Diego Maradonën, Zinedine Zidanen, Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin.Mbappe e mbylli sezonin me statistika mbresëlënëse. Ai shënoi 25 gola në La Liga, duke përfunduar si golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll, ndërsa realizoi edhe 15 gola të tjerë në Ligën e Kampionëve me Real Madridin, duke e kaluar shifrën prej 40 golash gjatë sezonit.
Francezi shkëlqeu edhe në Kupën e Botës 2026, ku realizoi 10 gola dhe dhuroi katër asistime. Me këtë paraqitje, ai u bë golashënuesi më i mirë në histori të këtij turneu, me 22 gola në edicionet e ndryshme, një më shumë se Lionel Messi dhe gjashtë më shumë se Miroslav Klose.
Ky është çmimi i parë Onze d’Or në karrierën e Mbappes. Me këtë sukses, ai i bashkohet listës së fituesve francezë, ku bëjnë pjesë Michel Platini, Jean-Pierre Papin, Eric Cantona, Zinedine Zidane, Thierry Henry, Antoine Griezmann, Karim Benzema dhe Ousmane Dembele.