Fëmijët përballë algoritmeve, bullizmit digjital dhe shëndetit mendor

Për shumë fëmijë telefoni është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, por edhe një hapësirë ku përballen me bullizëm, përqeshje dhe cenim të privatësisë. Çfarë ndodh kur një fotografi e shpërndarë pa leje apo një koment fyes ndikon në vetëbesimin e një fëmije? Dhe kush e dëgjon kur bota digjitale kthehet në burim ankthi?

Një njoftim. Një koment. Një video. Një tjetër mesazh.

Telefoni dhe interneti janë bërë pjesë e përditshmërisë edhe për fëmijët. Për disa, është mënyra më e lehtë për të komunikuar me familjen dhe shoqërinë. Për të tjerë, është mjet për mësim, argëtim dhe lojëra. Por koha që kalojnë para ekranit dhe përmbajtja me të cilën përballen nuk janë gjithmonë të njëjta me ato që pranojnë se përdorin.

 “Ne i përdorim, por jo edhe aq shumë. Për të kontaktuar me prindërit dhe për detyra. Telefonin e përdor kur kam nevojë”.

“Unë e përdor internetin dhe luaj në qetësi, pa më ngacmuar askush”.

“Rreth katër apo pesë orë në ditë, vikendeve pak më shumë. I përdor për lojëra dhe për mësime. Edhe për pyetje, e pyes ChatGPT-në”.

“Unë flas vetëm me shokët që u besoj. Më shumë e përdor Snapchat-in për komunikim. TikTok-un e përdor vetëm për të shikuar video. Nuk e përdor për bullizëm dhe nuk dua që dikush të më bullizojë mua”.

“Unë e kam telefonin me kufizim kohor, prej orës shtatë të mëngjesit deri në nëntë të mbrëmjes. Pastaj më mbyllen aplikacionet. Më së shumti që kam qëndruar në telefon ka qenë katër orë”.

Në internet, ku komunikimi ndodh me shpejtësinë e një klikimi, kufiri mes argëtimit dhe lëndimit mund të zhduket shumë shpejt.

Psikologia Tringa Visoka, e angazhuar në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë dhe në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë, thotë se në punën e saj të përditshme përballet edhe me raste të bullizmit përmes rrjeteve sociale.

“Fëmijët po e përdorin telefonin jashtëzakonisht shumë. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë kontroll se sa e përdorin telefonin, çfarë shikojnë, në cilat rrjete sociale kyçen dhe me kë komunikojnë. Disa prej tyre e përdorin internetin edhe për gjëra jo të mira. Njëra prej tyre është bullizimi”, thotë Visoka.

Krijimi i profileve të rrejshme dhe shpërndarja e fotografive pa leje mund ta cenojnë privatësinë dhe sigurinë emocionale të fëmijëve. Në raste të caktuara, fotografitë manipulohen dhe përdoren për t'i tallur dhe poshtëruar bashkëmoshatarët.

Në këto raste, nxënësit  e prekur kërkojnë ndihmë te mësimdhënësit, drejtoria dhe stafi profesional i shkollës, thotë psikologia Visoka.

“Ndihen jashtëzakonisht keq, janë shumë të shqetësuar dhe fillojnë të kenë ankth. Cenimi i privatësisë është një gjë shumë e keqe edhe për ne të rriturit. Tani po bëjnë edhe gjëra të tilla, kur marrin vetëm pjesën e fytyrës dhe pjesën tjetër të trupit e kombinojnë me gjëra të pahijshme. Kështu që fëmijët ndihen shumë keq, përjetojnë ankth dhe kërkojnë që të gjendet një zgjidhje”, thekson psikologia.

Ndryshe nga një konflikt verbal apo fizik që mund të përfundojë kur fëmijët largohen nga shkolla, bullizmi në internet mund t'i ndjekë edhe në shtëpi. Përmbajtjet e shpërndara mund të ruhen, të kopjohen dhe të qarkullojnë sërish.

Kur rastet zbulohen, ndërhyrja bëhet përmes bisedave me fëmijën e prekur dhe me atë që ka ushtruar bullizëm. Sipas Visokës, synimi është që fëmija të kuptojë pasojat e veprimeve të tij, ndërsa viktima të marrë mbështetjen e nevojshme.

“Me fëmijën që në këtë rast e bullizon viktimën, bisedoj dhe ia tërheq vërejtjen. Rastet e tilla ndonjëherë shkojnë në ekstrem, prandaj duhet t'i vendosim kufij fëmijës dhe t'i tregojmë se këto veprime po e dëmtojnë nxënësin tjetër. Jo me vrazhdësi, por duke e vetëdijesuar. Në shumë raste, fëmijët i fshijnë fotografitë pasi ndërhyjnë edhe drejtori, sekretari apo pedagogia. Ndërsa fëmijët që janë viktima mundohem t'i qetësoj dhe t'u them se do ta gjejmë një zgjidhje”, pohon ajo.

Visoka thotë se ndërgjegjësimi për raportimin e rasteve është rritur dhe se mësimdhënësit e prindërit po kërkojnë gjithnjë e më shumë ndihmë profesionale.

“Mesatarisht, brenda ditës i kam tri deri në katër raste. Fatmirësisht, është rritur vetëdija për t'i referuar rastet te psikologu. Mësueset i referojnë, por edhe prindërit e kërkojnë ndihmën e psikologes. Vitin e kaluar, kur jemi bashkuar me shkollën ‘Zenel Hajdini’, në periudhën e mësimit tërëditor dhe me dy ndërrime, ka pasur ditë kur i kam pasur deri në shtatë raste brenda ditës”, sqaron ajo.

Këto shifra nuk mund të përgjithësohen për të gjitha shkollat e Kosovës. Megjithatë, ato ngrenë shqetësimin  për kapacitetet e sistemit arsimor, dhe se sa mbështetje profesionale kanë fëmijët kur përballen me dhunë dhe bullizëm.

Merita Jonuzi, udhëheqëse e Divizionit për Shkencë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, thotë se në sistemin arsimor janë të punësuar profesionistë të shërbimeve pedagogjike dhe psikologjike. Sipas saj, është punuar edhe në zhvillimin e kapaciteteve për psikologjinë shkollore.

“Aktualisht i kemi në sistem shërbime pedagogjike dhe psikologjike 300 të punësuar, prej tyre 108 pedagogë dhe 192 psikologë. Proporcioni është i planifikuar një psikolog për 685 nxënës. Dhe, ashtu siç e kalkulova numrin e nxënësve në shkollat e mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta, që është 130 mijë e 429 nxënës, në raport me 192 psikologët i bie një psikolog me 679 nxënës. Ndërkaq, nëse e bëjmë kalkulimin në raport me 300 të punësuar, pedagogë e psikologë, se afërsisht funksionin e kanë të ngjashëm në funksion të mbarëvajtjes dhe elementeve të edukimit të nxënësve, i bie në raport një me 432”, sqaron Jonuzi.

Përtej numrit të profesionistëve, rëndësi ka edhe shpërndarja e tyre dhe qasja reale e nxënësve në shërbime.

Sipas Ministrisë, gjatë vitit të fundit shkollor janë raportuar 129 raste të dhunës në sistemin arsimor. Shumica janë raste të dhunës fizike, ndërsa vetëm një rast është identifikuar si dhunë digjitale. Kjo shifër pasqyron rastet e regjistruara dhe të klasifikuara në sistem, por nuk dëshmon domosdoshmërisht se vetëm një rast i dhunës digjitale ka ndodhur në shkolla, pohon znj.Jonuzi.

“Kur flasim për dhunën digjitale, online, në kohën e sotme digjitale është shumë e mundshme, sepse ka përdorim enorm dhe ka edhe papërgjegjësi prindërore për mënyrën e mbikëqyrjes së fëmijëve se si e përdorin teknologjinë. Shto këtu edhe atë se a edukohen mjaftueshëm për përdorim të sigurt të teknologjisë dhe shmangie të dhunës, e raportim cilësor edhe në kontekst shkolle. Po, mekanizma ka, legjislacion ka, sistem të raportimit dhe të referimit ka, veçse duhet secili ta kryejë punën e vet dhe t'u dalë fëmijëve në mbrojtje sa herë që është e nevojshme”, thekson ajo.

Për ta kuptuar më mirë përmasën e problemit, nevojiten të dhëna të hollësishme dhe bashkëpunim mes shkollave, familjeve dhe institucioneve.

Sidoqoftë, përballë këtyre sfidave, prindërit përpiqen t'i mbrojnë fëmijët pa ua ndaluar plotësisht përdorimin e teknologjisë.

Lindita Mirena, nënë e dy fëmijëve, thotë se përpiqet të kufizojë kohën që ata kalojnë në telefon dhe të mbikëqyrë përmbajtjet që përdorin.

“I përdorin, por shumë pak, rreth dy orë në ditë pasi të vijnë nga shkolla, sepse është e pamundur të mos ua lejosh pak telefonin, pasi edhe ne punojmë. Unë gjithmonë i kam nën kontroll. Edhe pse ua lë telefonin për dy orë, e di çfarë shikojnë. E kam të lidhur me telefonin tim dhe më vijnë njoftime për atë që kanë përdorur. Për këtë arsye e di se nuk shikojnë diçka që nuk duhet ta shohin”, tha ajo.

Kontrolli prindëror mund të ndihmojë në kufizimin e kohës dhe të përmbajtjeve të papërshtatshme, por nuk e zëvendëson komunikimin. Një fëmijë mund të ketë kufizime në aplikacione dhe prapëseprapë të kërcënohet, përqeshet apo shantazhohet.

Prandaj, përveç rregullave, rëndësi ka që fëmijët të ndihen të sigurt për të folur me prindërit, pa pasur frikë se do të fajësohen.

Qerim Maksuti, socionom, respektivisht punonjës social i specializuar në psikoterapi që punon në Suedi, thekson rëndësinë e identifikimit të sjelljeve negative dhe zëvendësimit të tyre me sjellje pozitive.

“Ajo që duhet të dihet në çdo rast, te çdo individ dhe para së gjithash tek fëmijët, është se kur kemi një sjellje negative, atëherë kemi një vegël kryesore: sjelljen alternative. Në këtë rast, bëhet fjalë për zëvendësimin e sjelljeve negative, destruktive, me sjellje pozitive dhe funksionale, që janë në të mirën e fëmijës apo individit”, thotë ai.

Sipas Maksutit, familja dhe shkolla kanë rol të rëndësishëm për t'i ndihmuar fëmijët të kuptojnë përvojat që hasin dhe të dallojnë sjelljet e dëmshme nga ato të dobishme.

“Mendoj se duhet të njihet më tepër problemi dhe më pas t'u ofrohen veprime dhe përjetime pozitive. Kemi nevojë për praninë më të afërt të prindit, të pedagogut shkollor dhe të personave të tjerë me të cilët fëmija është vazhdimisht në kontakt. Fëmija përballet me dukuri të cilat nuk ka gjithmonë mundësi t'i vlerësojë nëse janë negative apo pozitive. Prandaj, prania e të rriturve dhe e të afërmve duhet të jetë e madhe”, tha ai.

Ndikimi i algoritmeve të rrjeteve sociale nuk kufizohet te rastet e bullizmit. Ato ndikojnë edhe në mënyrën se si fëmijët e perceptojnë veten, ndërtojnë identitetin dhe krijojnë marrëdhënie me të tjerët.

Sociologu Besnik Fetahu thotë se interneti ofron mundësi për zhvillimin e aftësive teknologjike dhe kreativitetit, por njëkohësisht i ekspozon fëmijët ndaj rreziqeve që mund të ndikojnë në zhvillimin e tyre shoqëror.

“Ne e dimë edhe nga përvoja jonë se shpeshherë rrjetet sociale janë edhe si hapësira të bullizimit, keqpërdorimit dhe, fatkeqësisht, rasteve që mund të përfundojnë me dhunë fizike e pasoja fatale. Këto ndikojnë edhe në formimin kulturor dhe identitar të fëmijëve. Një tjetër rrezik është ekspozimi ndaj gjuhës së urrejtjes, seksualizimit të hershëm dhe dezinformimit. Të gjitha këto ofrohen përmes rrjeteve sociale, ndërsa fëmijët janë ndër grupet më të ndjeshme”, thotë Fetahu.

Sipas Fetahut, ndikimet mund të shfaqen në mënyra të ndryshme, varësisht nga mosha dhe përvojat e fëmijëve.

“Fëmijët dhe adoleshentët mund të përballen me ankth, depresion dhe forma të varësisë digjitale, sepse një pjesë e madhe e socializimit, komunikimit dhe marrjes së informacionit po zhvillohet përmes rrjeteve sociale. Prandaj, këto grupmosha janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndikimeve negative”, pohon ai.

Megjithatë, përdorimi i shpeshtë i telefonit nuk nënkupton automatikisht varësi, ashtu siç jo çdo problem i shëndetit mendor mund të shkaktohet nga rrjetet sociale. Rëndësi ka nëse përdorimi i teknologjisë ndërhyn në gjumë, mësim, marrëdhënie dhe jetën e përditshme të fëmijëve, thotë Dren Rexha, specialist për politika sociale në Zyrën e UNICEF-it në Kosovë.

“Fenomenet si bullizmi, përmbajtjet e dëmshme, krahasimi i vazhdueshëm i fëmijëve me të tjerët, presioni për dukjen fizike apo për pëlqime mund të ndikojnë në vetëvlerësim dhe në mirëqenien emocionale të fëmijëve. Për disa fëmijë, këto përvoja mund të shoqërohen edhe me ankth, tërheqje sociale ose ndjenjën se nuk janë mjaftueshëm të mirë. Prandaj, mesazhi ynë nuk është që fëmijët duhet të tërhiqen domosdoshmërisht nga interneti, por të mësohen ta përdorin atë në mënyrë të sigurt dhe të ekuilibruar”, tha ai.

Rexha thekson se dhuna digjitale është dhunë reale dhe mund të ketë pasoja edhe pasi fëmija largohet nga ekrani.

“Dhuna që ndodh online është dhunë reale dhe mund të ketë pasoja të rënda në shëndetin mendor, vetëbesimin dhe marrëdhëniet shoqërore të fëmijëve. Shpesh, ajo nuk përfundon kur fëmija del nga shkolla apo e mbyll telefonin, por mund ta ndjekë vazhdimisht. Bullizmi, kërcënimet, shpërndarja e fotografive pa pëlqim, shantazhi apo keqpërdorimi i imazheve intime mund të shkaktojnë frikë, turp dhe izolim. Veçanërisht shqetësues është fakti se një fotografi apo mesazh mund të përhapet shumë shpejt, të arrijë te shumë njerëz dhe të jetë vështirë të hiqet nga interneti. Për fëmijët, pasojat mund të jenë afatgjata, edhe kur publikimi ka ndodhur vetëm një herë”, theskon ai.

Sipas Rexhës, Kosova ka mekanizma ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve, por nevojitet bashkëpunim më i mirë mes shkollave, policisë, qendrave për punë sociale dhe familjeve.

“Fëmijët duhet të dinë ku të drejtohen dhe të kenë besim se do të dëgjohen, do të mbrohen dhe se askush nuk do t'i fajësojë. Po ashtu, prindi duhet të reagojë me qetësi dhe mbështetje kur fëmija i tregon për një përvojë të dhunës online”, tha ai.

Parandalimi, sipas Rexhës, kërkon edukim digjital, shërbime të koordinuara dhe përgjegjësi edhe nga platformat teknologjike.

“UNICEF-i e mbështet parandalimin, shërbimet e koordinuara, edukimin digjital dhe përgjegjësinë e platformave online për sigurinë e fëmijëve. Mesazhi ynë përfundimtar është shumë i qartë: asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i vetëm përballë dhunës online. Mbrojtja e tij është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, familjeve, shkollave dhe kompanive të teknologjisë”, sqaron ai.

Për një fëmijë, telefoni mund të jetë hapësira ku krijon miqësi, kërkon pranim, por edhe vendi ku përballet me fjalë e përvoja që e lëndojnë.

Prandaj mbrojtja e fëmijëve kërkon vëmendje, komunikim dhe, mbi të gjitha, besimin se, kur diçka nuk shkon mirë, fëmija mund të flasë pa frikë dhe pa u ndier fajtor. /rtk