Macroni bën thirrje për qetësi në Francë
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për qetësi dhe rend, duke paralajmëruar se trazirat që përfshinë disa qytete të Francës nuk duhet të përshkallëzohen.
Pas protestave kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kostos së jetesës, në vend shpërthyen përleshje, plaçkitje dhe zjarrvënie, raporton BBC.
Në një fjalim televiziv drejtuar qytetarëve nga Pallati Elysee në Paris, Macron tha se vendi po përballet me ndjenja zemërimi dhe turpi, pas një dite protestash që, megjithëse nisën kryesisht në mënyrë paqësore, përfunduan me akte të dhunshme.
Sipas raportimeve, rreth 550 mijë demonstrues dolën në rrugë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të karburanteve, shtrenjtimin e jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike, përfshirë arsimin.
Kreu i shtetit francez theksoi se duhet bërë dallimi mes kërkesave legjitime të protestuesve dhe personave që shfrytëzuan situatën për të shkatërruar, dëmtuar dhe plaçkitur prona.
“Asgjë nuk e justifikon dhunën e pakontrolluar”, deklaroi Macron, duke paralajmëruar se personat e përfshirë në akte të tilla do të përballen me drejtësinë.
Sipas të dhënave të raportuara, policia ka arrestuar rreth 2,400 persona.
Trazirat përfshinë Parisin, Marsejën, Lilën dhe qytete të tjera të vendit. Grupe personash, disa prej tyre të veshur me të zeza dhe me fytyrat e mbuluara me maska, u përfshinë në akte vandalizmi, ndërsa u raportuan makina dhe ndërtesa të djegura, si dhe raste të shumta plaçkitjesh.
Macron bëri të ditur se prefektët dhe kryetarët e bashkive do të bashkëpunojnë për të marrë masat e nevojshme me qëllim mbrojtjen e dyqaneve, ndërtesave dhe pronës publike e private.