Lladrovci kërkon shtyrjen e ekskursionit të maturantëve të Drenasit në Shqipëri: Siguria juaj është mbi gjithçka

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, u ka bërë thirrje drejtorit, profesorëve dhe maturantëve të Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” që ta shtyjnë ekskursionin në Shqipëri, për shkak të situatës aktuale atje dhe shqetësimeve për sigurinë e tyre.

Në një mesazh drejtuar drejtuesve, mësimdhënësve dhe nxënësve të këtij gjimnazi, Lladrovci ka rekomanduar që ekskursioni të organizohet në një kohë tjetër, brenda këtij viti shkollor, kur siguria e maturantëve të jetë e garantuar.

Ai ka theksuar se ekskursioni është një ngjarje e veçantë për maturantët, por ka vlerësuar se jeta dhe siguria e tyre duhet të jenë përparësi.

“Ju jeni krenaria jonë dhe nuk guxojmë të marrim vendime në dëm të jetës dhe sigurisë suaj. Provokimi nga turmat, apo dezinformatat për praninë tuaj mund të sjellin situata të rënda e mosmarrëveshje të padëshirueshme”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka vlerësuar se situata aktuale në Shqipëri është e tensionuar dhe se maturantët, për shkak të atdhedashurisë dhe reagimeve të mundshme ndaj provokimeve, mund të përfshihen në situata të padëshiruara.

“Prania juaj, me atdhetarizmin si traditë, fare lehtë mund të provokoheni dhe të bëheni pjesë e lajmeve të padëshirueshme. Në këtë rast, jeta dhe siguria juaj për mua është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në botë”, ka deklaruar ai.

Lladrovci ka thënë se shqetësimet për sigurinë e maturantëve i ndajnë edhe prindërit e tyre, duke shprehur bindjen se shtyrja e ekskursionit për një kohë më të përshtatshme është zgjidhja që duhet marrë parasysh.

Ai ka përfunduar mesazhin duke theksuar se ekskursioni duhet të mbetet një përvojë e bukur dhe e paharrueshme për maturantët, pa u rrezikuar nga situata të mundshme gjatë udhëtimit./Zëri