Kina kufizon eksportin e 40 teknologjive kryesore, përfshirë IA-në dhe energjinë diellore
Ministria e Tregtisë e Kinës ka publikuar një projektplan për të kufizuar eksportin e 40 teknologjive të rëndësishme që lidhen me inteligjencën artificiale (IA), energjinë diellore dhe biomedicinën, teknologjitë që përdoren në mjekësi dhe në zhvillimin e trajtimeve të reja.
Sipas planit, eksporti i 14 prej këtyre teknologjive do të ndalohet, ndërsa për 26 të tjerat do të kërkohet miratim paraprak nga autoritetet kineze.
Pavarësisht se plani nuk është përfundimtar, kompanitë janë të detyruara të regjistrojnë transferimet e teknologjive që preken nga këto masa.
Këtu përfshihen shitja e të drejtave mbi një teknologji ose shpikje, si dhe dhënia e lejes për ta përdorur atë jashtë Kinës.
Në fokus, teknologjitë e inteligjencës artificiale
Nga 40 teknologjitë, 23 lidhen me inteligjencën artificiale. Mes tyre janë metodat për zhvillimin e modeleve të mëdha të IA-së dhe të agjentëve të inteligjencës artificiale.
Agjentët e AI-së janë programe që mund të kryejnë detyra në mënyrë kryesisht automatike, duke ndjekur udhëzime dhe duke ndërmarrë vetë hapa për të përfunduar një punë.
Plani përfshin gjithashtu teknologji për proceset e prodhimit të qelizave diellore, si dhe teknika që përdoren në trajtimet mjekësore me bazë qelizat dhe gjenet.
Përjashtime për shërbimet e IA-së dhe panelet diellore
Sipas ministrisë, kufizimet e reja nuk do të zbatohen për shërbimet e inteligjencës artificiale, që përdoren përmes aplikacioneve dhe faqeve të internetit.
Përjashtim do të bëjnë edhe teknologjitë e IA-së që janë tashmë të disponueshme publikisht.
Në sektorin e energjisë diellore, kontrollet do të përfshijnë disa pajisje dhe procese të prodhimit, por panelet diellore të përfunduara nuk do të përfshihen në kufizimet e planifikuara.
Kina përmend rreziqet e sigurisë
Ministria kineze e Tregtisë i ka justifikuar masat me shqetësimet për sigurinë.
Sipas saj, inteligjenca artificiale mund të përdoret për sulme ndaj infrastrukturës së rëndësishme, si sistemet e energjisë dhe rrjetet e tjera jetike.
Teknologjitë diellore mund të përdoren gjithashtu në hapësirë dhe në sektorin e mbrojtjes. Megjithatë, ministria thekson se masat nuk synojnë vende apo kompani të caktuara.
Kina vendosi kufizime edhe në vitin 2025 për disa procese të prodhimit të materialeve për bateritë dhe për nxjerrjen e litiumit.
Gjithashtu, ajo vendosi detyrimin për të marrë miratim për eksportin e disa elementeve të rralla dhe produkteve të prodhuara prej tyre.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në konkurrencë të fortë për teknologjitë e përparuara.
Nga ana e saj, SHBA-ja kufizon eksportin e çipave të avancuar drejt Kinës, që përdoren për zhvillimin dhe funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale. /atsh