Shitet për 2.8 milionë dollarë shtëpia e Marilyn Monroe në Palm Springs
Shtëpia që dikur i përkiste ikonës së Hollywood-it, Marilyn Monroe, në Palm Springs të Kalifornisë, është shitur për 2.81 milionë dollarë. Prona historike është blerë nga Violet Moran, një stiliste që jeton në këtë zonë dhe që planifikon ta rinovojë banesën duke ruajtur karakterin dhe arkitekturën e saj origjinale.
Sipas TMZ, Moran synon ta përshtatë shtëpinë sipas nevojave të saj, pa cenuar elementet që i japin pronës vlerë historike dhe e lidhin atë me një prej figurave më të njohura të kinematografisë botërore.Banesa ka një sipërfaqe prej rreth 279 metrash katrorë dhe përfshin katër dhoma gjumi e katër banjo. Ajo dallohet për tavanet e larta, hapësirat e bollshme për pritjen e mysafirëve dhe pishinën private, karakteristika të vilave luksoze të Palm Springs.
Marilyn Monroe e zotëronte pronën në fillim të viteve 1960, një periudhë e rëndësishme në jetën e aktores. Pronari i ri synon ta rikthejë shtëpinë në gjendjen që meriton, duke respektuar historinë dhe veçantinë e saj arkitekturore./KultPlu