Rama: Mijëra gurë e sende të tjera rrezik për jetën e efektivëve, kjo dhunë e verbër s’ka lidhje me studentët
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale nga zyra e tij, se dhuna e ushtruar ndaj policisë gjatë protestave përbën rrezik serioz për jetën e efektivëve, ndërsa bëri thirrje për më shumë vëmendje ndaj sakrificës së tyre.
Rama tregoi një gur, për të cilin tha se ishte shkulur nga trotuari i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u hedhur ndaj policisë, duke theksuar se një objekt i tillë mund të shkaktojë pasoja të rënda.
“Ky është një nga mijëra gurët e shkulur në trotuarin e bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’u hedhur mbi policinë. Është praktikisht një armë që mund të bëhet deri vdekjeprurëse”, u shpreh kryeministri.
Ai kritikoi edhe personat që fshihen pas maskave dhe përfshihen në akte dhune, duke theksuar se këto veprime nuk kanë lidhje me studentët dhe të rinjtë që kërkojnë të ardhmen e tyre.
“Kjo është dhunë e verbër që nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare, me fëmijët që prindërit kanë në shtëpi dhe të gjithë prindërit duan t’i shohin të bëjnë hajër”, deklaroi Rama.
Kryeministri iu referua gjithashtu efektivit të policisë të plagosur në Shkodër, duke thënë se nuk do të publikonte skanerin e kafkës së tij, për shkak të natyrës së imazhit.
Rama vuri në dukje se, përballë protestuesve, efektivët e policisë përballen me gurë, saçme, molotovë dhe flakë, ndërsa shtoi se edhe ata kanë pakënaqësitë dhe vështirësitë e tyre personale.
“Po punonjësit e policisë i shikoni? I dini kush janë? Ua dini jetën, hallet?”, pyeti Rama, duke theksuar se një pjesë e protestuesve janë paqësorë, ndërsa aktet e dhunës kryhen nga një pjesë e turmës.
Gjatë komunikimit, kryeministri lexoi edhe një mesazh që i kishte dërguar një kolege, ku përcillej këndvështrimi i një punonjësi të administratës publike për situatën dhe nevojën për më shumë vëmendje ndaj efektivëve të policisë.
Në mesazh theksohej se policët, ndryshe nga persona të tjerë që shprehin pakënaqësitë e tyre, nuk kërkojnë vëmendje apo promovim, por kanë nevojë të ndiejnë mbështetjen e shoqërisë përballë rrezikut me të cilin përballen gjatë detyrës.
“Ndryshe nga djali, policët nuk po kërkojnë vëmendje, promovim, po kërkojnë shumëçka që me siguri u takon, por me siguri kanë nevojë të ndiejnë praninë tonë dhe të shoqërisë në këtë sakrificë të tyre përballë gurëve, saçmeve, molotovëve, flakëve të një turme të maskuar”, theksoi Rama./atsh