“Po sfidohet e ardhmja e Shqipërisë në BE”, Rama: Jam përpjekur të mos bie në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën që prej pesë ditësh po zhvillohet në Tiranë, duke deklaruar se është përpjekur të shmangë përshkallëzimin e situatës dhe të mos bjerë në atë që e cilëson si “kurthi i dhunës që kërkon gjak”.

Në reagimin e tij, Rama u ndal te zhvillimet e protestës dhe bëri një paralelizëm me ngjarjet e 21 janarit, duke kujtuar viktimat dhe të plagosurit gjatë asaj dite.

“Jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e koordinoj me shumë durim një përpjekje për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak. Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, po ku nuk u prek në asgjë, asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot nuk shkuan dot as në spital se i priste përsëri druri dhe u mjekuan në shtëpi. Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë, zare hekuri e vida për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, e kam parasysh që ata janë fëmijë të verbër të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës. Vetëpërmbajtja është A dhe Zh e kësaj historie”, tha Rama.

Sipas tij këto protesta të dhunshme po sfidojnë të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Po sfidohet Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe mënyra evropiane mes forcave në një hapësirë demokratike ku liria dhe e drejta ime mbaron ku fillon jotja. Kjo është sfida, kjo është sprova. Natyrisht që unë i kuptoj shumë më mirë sesa ç’mund të mendojnë shumica dërrmuese e atyre që duan një qetësi të shtirur, të gjitha arsyet pse sot jemi në këtë terror gurësh. Jo nga populli, por nga një grusht njerëzish, edhe pse një pjesë e asaj mase e mbështet qorrazi këtë dhunë”, u shpreh Rama./euronews.al