Barcelona i barazon dy rekorde të Realit, njëri prej tyre mbahet që nga viti 1969

Barcelona po kalon një fillim historik të sezonit në La Liga. Fitorja bindëse 5-2 ndaj Real Betisit i ka mundësuar skuadrës së Hansi Flickut të barazojë dy rekorde të Real Madridit.

Nëntë fitore në nëntë ndeshje. Barcelona ka marrë pikët e plota në nëntë xhirot e para të kampionatit, duke barazuar arritjen e Real Madridit nga sezoni 1968/69.

Sipas statistikave të publikuara nga eksperti MisterChip, madrilenët ishin skuadra e fundit që e kishin realizuar këtë seri në fillim të kampionatit.

Rekordi i dytë lidhet me diferencën e golave. Barcelona ka shënuar 39 gola dhe ka pësuar vetëm nëntë, duke arritur një diferencë prej +30 golash pas nëntë ndeshjeve.

Kështu, katalunasit barazojnë rekordin e Real Madridit nga sezoni 1987/88, kur madrilenët kishin shënuar 32 gola dhe pësuar vetëm dy.

Barcelona ka regjistruar gjithashtu shifrën e dytë më të mirë të golave në nëntë xhirot e para në historinë e La Ligës. Rekordi mbahet nga Sevilla, e cila kishte shënuar 42 gola në këtë fazë të sezonit 1940/41.

Pas fitores ndaj Betisit, Barcelona kryeson tabelën me 27 pikë, pesë më shumë se Atletico Madridi. Real Betisi mbetet në vendin e tretë me 19 pikë, ndërsa Real Madridi ka 18 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Skuadra e Flickut po dëshmon se është në një formë të jashtëzakonshme, si në aspektin e rezultateve, ashtu edhe në efikasitetin ofensiv.

Tashmë, sfida e radhës që pritet me interes të madh është El Clásico ndaj Real Madridit, më 25 tetor. /Zëri