Papa Leone XIV del nga spitali pas ndërhyrjes kirurgjikale
Papa Leone XIV del sot nga spitali “Gemelli” në Romë, ku po rikuperohet pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një tumori kanceroz në mushkërinë e djathtë, njoftoi Vatikani.
Mjekët e kanë vlerësuar atë në gjendje të përshtatshme për t’u larguar nga spitali.
Papa, 71-vjeç, qëndron në spital që nga e marta, ku iu hoq një pjesë e mushkërisë së djathtë për të nxjerrë tumorin kanceroz.
Sipas mjekëve Luigi Carbone dhe Stefano Margaritora, analizat e gjakut, radiografia e kraharorit e kryer të sot në mëngjes dhe vlerësimi i përgjithshëm klinik treguan se Papa Leone XIV do të dalë nga spitali.
Vatikani bëri të ditur se Papa do të largohet nga spitali në orët e para të pasdites dhe do të kthehet në Vatikan.
Ai pritet të drejtojë nesër lutjen e Engjëllit të Zotit (Angelus) nga dritarja e apartamentit papnor, me pamje nga sheshi i Shën Pjetrit.
Në të kaluarën, edhe papët Gjon Pali II dhe Françesku e kanë mbajtur këtë lutje nga dritaret e dhomave të tyre në spitalin “Gemelli”, gjatë periudhave të shtrimit. /atsg