Reali e kërkon dorëheqjen e Tebasit, presidenti i La Ligës kundërpërgjigjet: “Ky quhet intimidim”

Përplasja mes Real Madridit dhe Javier Tebasit ka marrë përmasa të reja. Klubi madrilen ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të presidentit të La Ligës, ndërsa ky i fundit ka reaguar ashpër, duke e akuzuar Realin për intimidim.

Konflikti shpërtheu pasi Tebas krahasoi mënyrën e komunikimit të Real Madridit dhe televizionit zyrtar të klubit me mekanizmat propagandistikë të përdorur nga Joseph Goebbels, ministri i propagandës së Gjermanisë naziste.

Sipas kreut të La Ligës, televizioni i Real Madridit përzgjedh situatat e përshtatshme, përsërit pretendimet për padrejtësi dhe ushqen dyshimet ndaj gjyqtarëve, duke krijuar përshtypjen se klubi madrilen është vazhdimisht viktimë e vendimeve arbitrare.

Reali kërkon dorëheqjen e menjëhershme

Në një komunikatë zyrtare, Real Madridi i cilësoi deklaratat e Tebasit si “absolutisht të patolerueshme”, duke theksuar se ato janë thellësisht fyese dhe të papranueshme për një drejtues që mban përgjegjësi të larta institucionale.

Klubi i drejtuar nga Florentino Pérez kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Tebasit nga posti i presidentit të La Ligës dhe ai i zëvendëspresidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit.

Madrilenët konsiderojnë se deklaratat e tij dëshmojnë mungesë neutraliteti dhe paanshmërie, ndërsa kërkuan gjithashtu reforma të thella në sistemin e arbitrimit dhe në strukturat drejtuese të futbollit spanjoll.

Tebas kundërpërgjigjet: “Po tentojnë ta shkatërrojnë garën”

Presidenti i La Ligës nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij dhe reagoi përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale.

“E kam humbur numrin e herëve që, gjatë 13 vjetëve, drejtuesit e Real Madridit kanë kërkuar dorëheqjen time ose janë përpjekur të më largojnë nga detyra. Kjo është vetëm e fundit. Ajo që vazhdon të mungojë janë përgjigjet”, shkroi Tebas.

Ai hodhi poshtë pretendimet se La Liga ka qëndruar pasive në çështjen Negreira, që lidhet me pagesat e Barcelonës ndaj kompanive të lidhura me ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave, José María Enríquez Negreira.

Tebas theksoi se institucioni ka vepruar që nga momenti kur është vënë në dijeni për çështjen, duke kundërshtuar akuzat e Real Madridit.

Ai gjithashtu kritikoi mënyrën se si klubi madrilen e trajton çështjen e arbitrimit dhe pretendimet për oraret e ndeshjeve, duke kërkuar që të publikohen të gjitha kërkesat e Realit për ndryshimin e datave dhe orareve, përfshirë ato që janë pranuar.

Në pjesën më të ashpër të reagimit, Tebas deklaroi se Real Madridi po përpiqet të dëmtojë garën vendore.

“Përfundimi im është se ata kërkojnë ta shkatërrojnë garën kombëtare. Ajo që nuk e kanë arritur deri tani me Superligën, po përpiqen ta bëjnë përmes një narrative të shtrembëruar nga mediat dhe zëdhënësit e tyre”, theksoi ai.

Në fund, Tebas zbuloi se kujtonte edhe një mesazh kërcënues që, sipas tij, i ishte drejtuar në të kaluarën: se do ta kthenin të gjithë tifozërinë e Real Madridit kundër tij, në mënyrë që të mos mund të ecte më i qetë në rrugë.

“E gjithë kjo ka një emër: intimidim. Fakti që mbështillet me një komunikatë zyrtare nuk e shndërron atë në reformim”, përfundoi presidenti i La Ligës. /Zëri