Rama: Ka nisur sezoni i ngrohjes në Prishtinë, synojmë zgjerimin e rrjetit të Termokosit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka nisur sezoni i ri i ngrohjes në kryeqytet, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimin e investimeve për zgjerimin e rrjetit dhe rritjen e kapaciteteve të furnizimit.
Përmes një postimi, Rama ka njoftuar se gjatë një takimi në Termokos me ekipin e kësaj ndërmarrjeje është diskutuar për hapat e ardhshëm, me synimin që shërbimi i ngrohjes të përfshijë sa më shumë qytetarë.
Sipas Ramës, nga gjithsej 25 mijë pika të furnizimit, 17 mijë tashmë janë të pajisura me matës.
Ai ka theksuar se procesi i pajisjes me matës duhet të vazhdojë, krahas punës për realizimin e projektit “Solar for Kosovo”.