Dembélé kërkon pushime deri në mars, Luis Enrique përgjigjet me humor: Ai është shefi!

Ousmane Dembélé dhe Luis Enrique kanë dhuruar një moment argëtues pas fitores së Paris Saint-Germainit ndaj Manchester Cityt me rezultatin 4-2 në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi francez ishte protagonist në këtë sukses, duke shënuar një gol dhe duke kontribuar në paraqitjen e shkëlqyer të kampionëve të Evropës.

Dembélé ishte lënë pushim në ndeshjen e Ligue 1 kundër Le Mans, pas angazhimeve me kombëtaren franceze.

Pas triumfit në Manchester, fituesi i Topit të Artë 2025 foli me humor për pushimet që kishte marrë.

“Pas pushimit të kombëtareve shkova me pushime. Madje, ndoshta do të kërkoj edhe disa ditë të tjera pushimi”, deklaroi Dembélé.

I pyetur nëse do të dëshironte të pushonte sërish deri në mars, francezi u përgjigj me buzëqeshje se gjithçka varej nga trajneri.

Luis Enrique, i pyetur për deklaratat e lojtarit të tij në konferencën për shtyp, iu përgjigj me të njëjtin humor.

“Ai është shefi. Nëse dëshiron pushime, mjafton t’i kërkojë dhe do t’i ketë! Ai bën shaka gjatë gjithë kohës. Më pëlqen mënyra se si e jeton futbollin dhe pasioni që ka për të”, tha trajneri spanjoll.

Megjithatë, Luis Enrique sqaroi se bëhej fjalë për një shaka dhe se pushimet nuk nënkuptonin mungesë të angazhimit profesional.

“Është shaka, sigurisht. Jam gjithmonë i gatshëm t’u jap lojtarëve atë që dëshirojnë, brenda kufijve të arsyeshëm. Ata e dinë se është e pamundur të jenë titullarë në çdo ndeshje. Por të jesh me pushime do të thotë të vish në qendrën stërvitore për t’u stërvitur”, përfundoi Luis Enrique. /Zëri