The Gardian: Vuçiqi ndërhyri personalisht për të favorizuar projektin e kullës së Trumpit në Beograd
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërhyri personalisht për të shtyrë përpara një plan të dyshuar si të paligjshëm për ndërtimin e një kulle të lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump, në Beograd, raporton gazeta britanike The Guardian.
Sipas hulumtimit të gazetës, Vuçiqi kishte thirrur një takim në Presidencën serbe në shkurt të vitit 2024, ku dyshohet se kërkoi heqjen e statusit të mbrojtur të kompleksit historik të Shtabit të Përgjithshëm, të dëmtuar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, transmeton Zeri.info.
Projekti, me vlerë rreth 500 milionë dollarë, parashihte ndërtimin e një hoteli luksoz dhe kullave rezidenciale nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit. Sipas raportimit, marrëveshja parashihte dhënien e lokacionit me qira për 99 vjet, pa pagesë.
Në këtë rast, ministri serb i Kulturës, Nikola Selakoviq, dhe zyrtarë të tjerë janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh. Vuçiqi nuk është akuzuar në këtë çështje dhe i ka mohuar akuzat për fajësi, ndërsa përfaqësuesit e familjeve Trump dhe Kushner kanë mohuar përfshirjen në heqjen e statusit të mbrojtur të kompleksit.
Pas ngritjes së aktakuzave, kompania e Kushnerit njoftoi se projekti nuk do të realizohej “për momentin”. /Zëri